Tre inspektorë mbikëqyrës në kompaninë private që merret me përpunimin e mallrave dhe të kontejnerëve në portin e Durrësit dhe ndihmësspecialisti kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit janë arrestuar me dyshimin se falsifikonin vulat për të lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.
Në pranga për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik” kanë rënë E. Gj., 35 vjeç, A. K., 52 vjeçe dhe D. M., 41 vjeç dhe 27-vjeçari me iniciale A. V.
Sipas hetimeve, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar të dhëna të rreme në sistemet kompjuterike, me qëllim lejimin e kalimit pa kontroll doganor, të automjeteve dhe kontejnerëve që transportonin mallra të kontrabanduara.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur një tjetër shtetas, që dyshohet se ka falsifikuar plumbçet e kontejnerit të kamionit që drejtonte dhe me të ka kaluar mallra të kontrabanduara.