Gjykata Europiane e Drejtësisë e quajti tërësisht të ligjshme krijimin e Superligës Europiane të Futbollit. Ky vendim lë të pakënaqur UEFA dhe FIFA, pasi disa skuadra mund të largohen nga kompeticionet e tyre. Gjithsesi, ka skuadra që qëndrojnë në linjën e UEFA dhe FIFA, pra që janë kundër Superligës.
Klubet si Manchester United, Bayern Munich, Atletico Madrid dhe PSG mbështesin plotësisht garat e UEFA.
Qëndrimet:
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pjesëmarrjes në garat e UEFA-s dhe bashkëpunimit pozitiv me UEFA-n, Premier League dhe klubet e tjera. Përmes ECA-s (Shoqata e Klubeve Europiane) për zhvillimin e vazhdueshëm të garës europiane”, lexohet në komunikatën e “Djajve të Kuq”.
Ndërkohë që Bayerni reagoi nëpërmjet Christian Dreesen, administratori i deleguar i kampionëve të Gjermanisë dhe zv. presidenti i ECA-s.
“Vendimi i Gjykatës nuk e ndryshon qëndrimin tonë dhe atë të ECA-s. Një kompeticion i tillë do të përfaqësonte një sulm ndaj rëndësisë së ligave kombëtare dhe situatës së futbollit europian.
Bundesliga përbën bazën e Bayernit, ashtu si të gjitha ligat kombëtare përbëjnë bazën e klubeve europiane të futbollit. Prandaj është detyra dhe bindja jonë e thellë t’i forcojmë dhe jo t’i dobësojmë.
Ne gjithashtu mbështetim garat europiane të klubeve nën kujdesin e UEFA-s. Kështu që është shumë e qartë: dera e Superligës te Bayerni mbetet e mbyllur”.
Kundër edhe PSG, që nëpërmjet presidentit Nasser Al-Khelaifi theksoi: “Nuk e kuptoj gjithë bujën e krijuar rreth këtij vendimi. Ky projekt i Superligës flet për liri, por nuk ka liri.
Kam marrë 50 telefonata nga klube të ndryshme, ka një vlerë që ne e mbrojmë. Ne punojmë për klubet, jemi krenarë për këtë projekt me UEFA-n. Jemi krenarë për Champions League”.
Totalisht kundër edhe Atletico Madrid. “Rezoluta në lidhje me kornizën për autorizimin paraprak të garave të tjera i referohet statuteve të vjetërsuara të UEFA-s. Të cilat tashmë janë ndryshuar në qershor 2022.
Shoqata Europiane e Klubeve (ECA) dhe UEFA kanë krijuar një partneritet që e bën të parëndësishme konsiderimin e UEFA-s si monopol.
Nëpërmjet marrëveshjeve brenda kësaj sipërmarrjeje të përbashkët, klubet vendosin 50% për shitjen e sponsorizimeve dhe të drejtave televizive, shpërndarjen e të ardhurave dhe formatet e konkurrencës.
Komuniteti europian i futbollit nuk e mbështet Superligën. Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja (përveç Real Madridit dhe Barcelonës), por jo vetëm, e kundërshtojnë Superligën.
Ne mbështetim mbrojtjen e familjes më të gjerë të futbollit europian, ruajtjen e ligave kombëtare dhe sigurinë e kualifikimit për garat europiane përmes performancës në fushë çdo sezon”.