Etleva Bodi, Klodiana Vefa, Afroviti Peçi, Luljeta Preza dhe të paktën 20 gra të tjera, u vranë gjatë këtij viti, nga burri, ish-burri, partneri, babai, djali apo të tjerë burra…
Feminicidi vijon të jetë një plagë e madhe në shoqëri.
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda thekson se problem thelbësor mbetet moszbatueshmëria e angazhimeve që ndërmerren.
ROBERT GAJDA
KOMISIONERI PER MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI
“Akoma familja shqiptare karakterizohet nga vrasja, pra kemi feminicid, vrasje të njëanshme ku burrat vrasin gratë në çfarëdolloj statusi, nëna motra, bashkëshorte, vajza dhe kjo na tregon shumë që edhe pse bëhen përpjekje të mëdha ato duhet të kanalizohen në të gjitha aspektet që e rrethojnë barazinë gjinore.”
Në kuadër të 16 ditëve botërore për ndërgjegjësimin mbi dhunën me bazë gjinore, Organizata e Kombeve të Bashkuara vëren se dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut në botë.
Ndërsa edhe këtë vit, në rang botëror, vlerësohet se një në tre gra ka pësuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri.
“Nga njëra anë patjetër kufizimet e lirisë por nga ana tjetër do të duhen edhe shumë shërbime sociale që ti ofrohen familjeve, duke pasur parasysh edhe fuqizimin ekonomik si dhe atë kulturor. Duhet të merremi shumë edhe me ushtruesit e dhunës, elementët edukativë.”
Në dhjetë muaj të këtij viti, në Shqipëri janë lëshuar më shumë se 2 mijë kërkesë-padi mbi urdhra mbrojtje ndaj grave e vajzave, që kanë denoncuar dhunë.
Ndërsa në rajon, nga janari deri në shtator, 174 gra u bënë viktima të incidenteve me armë zjarri.