Tifozat Kuq e Zi festojnë 20-vjetorin e themelimit në datën 23 dhjetor. Grupimi më i madh që mbështet kombëtaren shqiptare dhe këdo që nderon dhe lartëson flamurin kuqezi, do të bëjë një festë të jashtëzakonshme. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, TKZ, që prej dy dekadash ndjek skuadrën kombëtare në çdo ndeshje, theksojnë se këtë vit festa do të jetë edhe më e madhe.

Për shkak të përvjetorit, por sidomos prej kualifikimit të Shqipërisë në Europianin Gjermani 2024. Aty ku skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të sfidojë Italinë, Kroacinë dhe Spanjën ne grupin B. Në lajmërim theksohet se kremtimi madhështor do të organizohet të shtunën e 23 dhjetorit në Sheshin Skënderbej. Duke nisur prej orës 18:00. Festa është e hapur për të gjithë, si për anëtarët dhe për çdo shqiptar që e dëshiron me zemër bashkimin rreth një ekipi të vetëm kombëtar.

POSTIMI I TIFOZAVE KUQ E ZI

20 vjet TKZ është një rrugëtim i gjatë. Në çdo stadium shqiptar dhe të huaj ku kemi shkuar, ne kemi qenë aty për dhe me Kombëtaren tonë. Ndërkohë që Kombëtarja është rritur profesionalisht dhe sapo e ka siguruar kualifikimin e saj të dytë në Kampionatin Europian të Futbollit. Edhe ne, Tifozat Kuq e Zi, jemi rritur.

Misioni ynë i përhershëm është që ne të jemi gjithmonë të pranishëm aty ku luan ekipi ynë kombëtar. Me një përkrahje të fortë dhe të palëkundur. Pavarësisht nëse luan kundër një ekipi të madh apo të vogël në emër. Dhe pa marrë parasysh nëse loja luhet larg apo afër. Në shi apo në diell, me fitore apo me humbje, ne kemi qenë gjithmonë aty. Në mbështetje të ngjyrave kuq e zi. Kudo ku është ngritur flamuri ynë kombëtar, aty kemi qenë të pranishëm ne. Tifozat Kuq e Zi, të rreshtuar pas banerit tonë “TIFOZAT KUQ E ZI” dhe “O SA MIRË ME QENË SHQIPTAR!”

Ky 20-vjetor i themelimit të grupimit tonë përkon edhe me kualifikimin e Kombëtares sonë të Futbollit në Kampionatin “Euro 2024”. Dhe për rrjedhojë festa jonë këtë fundvit bëhet edhe më e madhe. Kremtimi madhështor do të organizohet ditën e shtunë, datë 23 dhjetor 2023, në orën 18:00, në Sheshin Skënderbej, në Tiranë.

Festa është e hapur për të gjithë, si për anëtarët aktivë dhe anëtarët ndër vite të TKZ-së, ashtu edhe për çdo shqiptar. Që, me zemër, e dëshiron bashkimin e të gjithë shqiptarëve anembanë botës përreth një ekipi të vetëm kombëtar.