Gjatë një jave në Shkodër janë vendosur 635 gjoba, ndërsa në Tiranë 9526 gjoba, nga Policia Rrugore. Policia ka ushtruar kontrolle të shtuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar. Si rezultat, janë proceduar në gjendje të lire 5 shtetas për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” në Shkodër, ndërsa në Tiranë 20 persona janë arrestuar ose proceduar.
Konkretisht në Shkodër janë ndëshkuar 323 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 88 për parakalime të gabuara; 23 shoferë, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit; 15 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 44 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 142 drejtues , për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.
Në Tiranë 156 gjoba janë vendosur për xhama të zinj; 450 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara; 173 masa për parakalim të gabuar; 433 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit; 178 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 82 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 285 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 22 masa për mosrespektim të tabelës “Stop”; 7010 masa për qëndrim të gabuar; 737 masa të ndryshme. Gjithashtu 7 automjete janë bllokuar. Policia Rrugore apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, nga të gjithë përdoruesit e rrugës.