Teksa Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të nisë fluturimet në fund të vitit 2024, Albcontrol është në kërkim të një konsulenti që do të duhet të hartojë strukturat e hapësirës ajrore, si dhe procedurat e fluturimit, duke përfshirë dhe vlerësimin e sigurisë së operimit.
Ky dikaster, ka hapur një tender me vlerë prej 166.6 mln lekë, ndërkohë që në dokumentet e tenderit specifikohet se hartimi i strukturave të hapësirës ajrore të kontrolluar do të përpiqet të sigurojë përdorimin më efikas të hapësirës ajrore në përputhje me operimin e sigurt të avionëve dhe rrjedhën e shpejtë të trafikut ajror.
Kjo, në mënyrë që masa e hapësirës ajrore të kontrolluar të jetë minimumi i kërkuar për të ruajtur një standard të lartë të sigurisë ajrore. Po ashtu, në dokumente specifikohet se të gjithë aerodromet e certifikuara nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian, EASA dhe aerodromet me Procedura Fluturimi Instrumental duhet të ofrojnë të dhëna numerike dhe informacione të klasifikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil ( ICAO ) si “kritike”, “thelbësore” ose “rutinë” (niveli i integritetit).
Ndërkaq, në dokumente specifikohet se matja e pengesave do të japë të gjitha të dhënat e nevojshme për të gjeneruar Sipërfaqet e Kufizimit të Pengesave, për të hartuar Procedurat e Fluturimit Instrumental dhe për të prodhuar hartat e kërkuara.
Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021, ndërkohë që sipas dokumenteve të tenderit pista parashikohet të ketë një gjatësi prej 3200 m dhe gjerësi 45 m.