Nga Poli Hoxha
Nuk e di kush e ka shkrepur këtë fotografinë e mëposhtme, por ajo mund të hyjë fare mirë në historinë e Shqipërisë si, “Silueta e tranzicionit 32 vjeçarë”. Nga 250 deputetët e parlamentit të parë pluralist të vitit 1991, Sali Berisha, bashkë me Tritan Shehun sot në vitin 2023, janë “dinosaurët” e fundit të mbijetuarë në atë sallë.
Berisha këtë të enjte nga oborri i Kuvendit përsëri fjalët “Fitore, aksioni do vazhdojë”, pastaj iku i vetmuar me kurriz të lëshuar nga pesha të rënda 32 vjeçare, duke lënë pas kërrusjes epike, kaos dhe flakadanë 10 minutësh. Aq sa mundi për herë të fundit, me aq fuqi dhe mercenarë që i kanë mbetur! Nga e hëna e javës tjetër, (18 dhjetor 2023), lexhenda, historiku, ka punë vetëm me avokatë, prokurorë dhe gjyqtarë. Vetmia që përjetoj në oborrin e Kuvendit, shpina e kërrusur më keq se ajo e Sizifit që mban shkëmbin e mëkateve, pushteteve dhe pasurive të mëdha të grabitura, tani është një realitet.
Edi Rama nuk e ndihmon dot më. Edhe vetë po kërkon alibi tjetër për të mbijetuar, pasi sosi kjo me Berishën. Ai vetëm burgjet ka në dorë. Dhe aty brenda kushtet, si për ish-ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e tij, edhe për Dhëndrin sa ndejti, e të tjerë nga opozita “e egër” që janë në rradhë, Rama ua ka ka siguruar më të mira se për çdo qytetarë tjetër shqiptarë, që gjendet në qelitë e “regjimit”.
Të gjithë ata që për dy vite që nga nisja e Foltores dhe shkatërimi i opozitës janë lutur, “O Zot bëje ëndërr”, mund të qetësohen dhe të bëjnë paqe me veten.
E di që disa do vajtojnë, të tjerë do ndihen të keqpërdorur dhe budallenj, por siç thonë edhe psikologët, kur trauma e vërtetë del në shesh, nis edhe shërimi.
Kthehuni në shtëpinë tuaj, se nuk ka pasur kurrë PD të Rithemelimit dhe as revolucion!
Edhe gazbardhistët që mendonin se karrierat, (deputetllëkun), mund ti vazhdonin mbi kurrizin e rrënuar të Berishës, duhet të qetësohen e të shkojnë që të votojnë kërkesën e SPAK, për arrestimin e tij ditën e hënë. Mos e bëni si struci që duke fshehur kokën në rërë, kujton se nuk i duket edhe prapanica nën diell. Nuk e ka kërkuar Rama lejen e arrestimit të Berishës. Po të jetë për atë, Sali Berisha, vdes deputet dhe “Lider i opozitës”. E ka kërkuar SPAK që ju ka përkrahur publikisht për “kauzën e komisioneve”, ndaj nxirreni kokën nga rëra se loja mbaroj. Dhe kujdes: Histerizmi edhe kur është i shtirur- thonë psikologët- mund të bëhet kronik dhe nuk shtyhet jeta, “tel i egër”, gjithë kohës!
Edhe këta bëjnë mirë të kthehen në shtëpi. Nuk ka pasur kurrë betejë për komisione dhe kushtetshmëri, por vetëm përpëlitje për të devijuar apo shtyrë në kohë, rrugëtimin e vetmuar dhe të kërrusur të Berishës drejt drejtësisë.
Pra rithemelimsa dhe gazbardhistë shpërndahuni dhe mos i trajtoni më si budallenjë ata demokratë dhe shqiptarë, që ende i kanë sytë nga ju. Sali Berisha iku i vetmuar dhe i kërrusur që të konsultoj me Genc Gjokutajn, strategjinë proceduriale për të kapur të paktën “arrest në shtëpi”. Ka edhe halle të tjera me djalin që nuk gjendet në adresën që i ka dhënë Gjykatës së Posaçme. Ai kushedi ku po çlodh kockat e dërmuara nga 32 vite “demokraci”, duke qarë hallin me ndonjë ngushëllues të Edi Ramës dhe Ilir Metën. Foltorja, Rithemelimi, Revolucioni, PD-ja, opozita, bota paralele që ju ka bërë të besoni, nuk ka ekzistuar kurrë. Ka qenë vetëm lufta për ta bërë ëndërr, këtë realitet që po ndodh sot: I vetëm dhe i kërrusur drejt verdiktit të Drejtësisë!
Po shkoj puna deri te burgu, askush të mos ketë merak. Aty kanë Edi Ramën që krijon kushtet më të mira. Njësoj si për të vetët, edhe për opozitarët e egër kundër regjimit të tij!