Bologna vazhdon t’i bëjë tifozët të ëndërrojnë. Pasi u sigurua kualifikimi në çerekfinalet e Kupës së Italisë falë suksesit 1-2 në shtesa përballë Interit, skuadra e Thiago Mottës do të tentojë të ruajë vendin e katërt.
Të shtunën zbarkon Atalanta në “Dall’Ara”, një kundërshtar aspak komod. Që numëron dy pikë më pak dhe gjithashtu po garon për një biletë në Champions League.
Trajneri i skuadrës nga Bergamos, Gian Piero Gasperini nuk i ka kursyer elozhet për Bolognan, sidomos për trajnerin Motta.
“Thiago Motta ishte i jashtëzakonshëm si futbollist, për aftësitë teknike dhe qetësinë që transmetonte. Ai dinte të lëvizte mirë në çdo situatë që krijohej.
Të njëjtat karakteristika ka edhe Bologna e tij. Do të jetë bukur ta takoj përpara kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme”.
Më pas një koment për situatën tek Atalanta. “I kemi të gjithë në dispozicion, përveç Toloit dhe Palominos. Vijmë nga një ecuri pozitive në kampionat dhe Europa League.
Bologna është kundërshtari më i keq i mundshëm në këto momente. Ata bënë shumë mirë ndaj Interit. Stadiumi do të jetë plot, do të ketë shumë entuziazëm.
Vitin e kaluar shkëlqyen në fazën e dytë, tani po tregojnë se e meritojnë plotësisht kualifikimin në kompeticionet europiane”, u shpreh Gasperini.