Nga ENDRI ARIZI – Janari do të sjellë lehtësimin e politikave të emigracionit në Gjermani. Bundestagu po miraton paketa ligjore që i përgjigjen nevojave imediate të tregut të punës. Por këto ndryshime, një pjese e të cilave hyjnë në fuqi nga muaji i ardhshëm, pritet që të tërheqin akoma më shumë të rinj shqiptarë, të cilët ende nuk po e ndërtojnë jetesën e tyre në vend.
Rrogat e ulëta dhe mundësitë e pakta në tregun shqiptar për shkak të mungesës së kualifikimit, pritet të thellojnë akoma më shumë hendekun e largimit. Për shumë njerëz kjo gjë është pozitive, por për ekonominë e vendit një shkatërrim. Pasi universitetet tashmë janë kthyer në markete diplomash. Çdo i ri, pavarësisht arsimimit, tashmë zgjedh që të bëjë një punë të rëndomtë, vetëm e vetëm që të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për të ndërtuar jetën.
Shumë nga miqtë e mi, që tashmë kanë braktisur profesionin e gazetarisë por jo vetëm dhe që ndodhen në Gjermani duke punuar në sektorin e shërbimit, më sugjerojnë që dhe unë të ndjek rrugën e tyre. Por a është kjo një zgjidhje? A duhet të hedh poshtë gjithë këto vite investim tek vetja dhe të nis një tjetër rrugë, me një punë shumë më të ulët se kualifikimi im por me pagë shumë herë më të madhe? Paraja kurdoherë të josh! Por thelbi është nëse ja vlen apo jo pasi të ardhmen se parashikojmë dot.
Të njëjtin mendim si unë ndajnë dhe shumë shqiptarë, një pjesë e të cilëve, tashmë prindër por me idenë e qartë: emigrimin. Politikat sociale, pagat, niveli i jetesës por dhe shumë faktorë të tjerë po vijojnë të rrudhin jetesën në Shqipëri. Më pak e ndjeshme në Tiranë, por shumë më shumë në rrethe dhe kryesisht në qytetet e vogla që tashmë janë të banuara vetëm nga mosha e tretë.
Mungesa e personave të kualifikuar në arsim, shëndetësi por dhe në shumë sektorë të tjerë po e bën të vështirë qëndrimin në Shqipëri. Kjo pasi problematika po lind që në shkolla ku analfabetizmi është ulur këmbëkryq. E po vijon të ndihet në administratë me punësimet e favorizimet me tendera brenda familjeve e miqve të deputetëve. E nga ana tjetër, me biznesin, që rrit fitimin çdo ditë, por vijon të ankohet për mungesë punëtorësh, rroga e të cilëve është: 400 mijë lekë. Ndoshta hendekun e largimit të ajkës shqiptare, në muajit në vijim pritet ta kompensojnë punëtorët nga Bangladeshi. Sepse shqiptarët tashmë kanë gjetur “parajsën” në Gjermani.