Ylber Ramadani i dha fitoren Leçes në kampionat përballë Frozinones me anë të një supergoli në minutat e fundit të takimit. Mesfushori i Kombëtares u shpreh se këtë gol ia dedikon bashkëshortes së tij, pasi janë duke pritur një fëmijë dhe gjithashtu preferoi mos të ndaleshe te Europiani, pasi vëmendja e tij për momentin është te sezoni.

“Këtë gol ia dedikoj para të gjithëve gruas time, duke marrë në konsideratë faktin që jemi në pritje të një fëmije. Pastaj këtyre njerëzve që më kanë ndihmuar që nga dita e parë.

Janë tre pikë të rëndësishme. Lojtarët dhe klubi, që në fillim më kanë qëndruar pranë, pa harruar edhe tifozët tanë që janë spektakolarë. Ne kemi luajtur një ndeshje të madhe, kundër një rivali direkt. Tani jam i përqendruar te ky sezon, pastaj do të jetë Europiani ndaj Italisë. Unë kam dëshirë të bëj sa më mirë”, tha Ramadani për mikrofonat e “DAZN”.