Policia ka zbardhur aksidentin në punë, me pasojë vdekjen e një punëtori, në fshatin Lenie të Grmashit, ditën e djeshme.
Njoftimi i policisë
Nga hetimet e thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, menjëherë pas ngjarjes që ndodhi dje, në fshatin Lenie, ku humbi jetën shtetasi F. V., 51 vjeç, pasi u dëmtua nga automjeti i firmës ku punonte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan shtetasin K. H., 53 vjeç, banues në fshatin Mollas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi i 53-vjeçarit u bë pasi rezultoi se gjatë procesit të punës për ndërtimin e një hidrocentrali, ka kryer manovra të gabuara me kamionçinën që drejtonte (automjet në pronësi të firmës së ndërtimit), dhe si pasojë është dëmtuar shtetasi F. V., 51 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti kamionçinë që dëmtoi shtetasin F. V.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.