Italia është një nga rivalët e Kombëtares sonë në “Euro 2024” dhe kjo e ka rritur interesin e mediave “axurre”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “La Politica del pallone” dhe fokusi ishte te përballja me kampionët e Europës në fuqi, Europiani në vetvete, e për të kaluar më pas edhe te ndryshimet e bëra në Shqipëri në infrastrukturë.

“Për ne është një sukses i madh të jemi në “Euro2024”. Ia dolëm shumë mirë në kualifikuese, dolëm të parët në grup. Tani shorti na vendosi kundër Spanjës, Kroacisë dhe Italisë. Me të vërtetë nuk donim të luanim kundër Italisë, pasi siç e thatë edhe ju me Italinë kemi raporte të mira edhe në futboll, jo vetëm në politikë. Shumë të rinj shqiptarë luajnë në Itali, madje nëse nuk e dini luajnë po aq fëmijë shqiptarë sa në Shqipëri”, shprehet fillimisht presidenti Duka, i cili më pas vijoi të fliste për duelin me Italinë.

“Ne kemi marrëdhënie të mira, por do të jemi kundërshtarë, edhe pse vetëm për 90 minuta. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën kundër kampionëve në fuqi të Europës. Ne e dimë forcën e Italisë, të lojtarëve, të skuadrës, por ne dhe ne kemi ardhur këtu pa na dhuruar asgjë askush. Kemi fituar grupin tonë dhe do të bëjmë më të mirën për ta përballuar këtë ndeshje”, shtoi kreu i FSHF-së.

I pyetur, nëse përballja me Italinë është si një finale Botërori për Shqipërinë, Duka shtoi: “Të gjitha ndeshjet në Europian janë të vështira. Lojtarët tanë duhet ta luajnë këtë ndeshje si gjithë të tjerat, sikurse ndaj Polonisë dhe Çekisë në kualifikuese. Duhet ta luajmë përballjen ndaj Italisë si një ndeshje normale. Sigurisht është ndeshje e rëndësishme, pasi nëse bëjmë mirë mund të ecim përpara në Europian.
Nëse jo, duhet të shohim ndeshjet me Kroacinë dhe Spanjën. Të luash përballë kampionëve të Europës është gjë e bukur. Problemi i vetëm është se të gjithë shqiptarët duan bileta për atë ndeshje. Shpresoj që tifozët të krijojnë një atmosferë pozitive, sikurse kemi bërë në miqësoren që kemi zhvilluar Xhenoa”.
POLITIKANËT NË STADIUM – “Kryeministri shqiptar e sigurt që do të vije. Nuk mendoj se do të mungojë ndonjë politikan në ndeshjen kundër Italisë, të gjithë do të vijnë. Kryeministri Rama është tifoz futbolli, tifoz i Kombëtares dhe sigurisht do të jetë në stadium në këtë ndeshje. Meloni nuk e di, shpresoj të vijë”.

RECETA E FITORES – “Të mundesh Italinë është diçka shumë e vështirë, shumë e vështirë, por ne do ta provojmë ta bëjmë. Do e luajmë si një ndeshje normale. Po luajtëm pa presion, do jetë më e lehtë për ne. Italia është një skuadër me eksperiencë, me lojtarë të mirë, janë kampionët në fuqi të Europës, por vuajtën pak në kualifikuese”.
INVESTIMET NË SHQIPËRI – “Infrastruktura në Shqipëri ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Kemi stadiumin në Tiranë, ku keni parë finalen e Conference League. Kemi ndërtuar një qendër stërvitore për Kombëtaren, që i ka të gjitha kushtet, jo aq e madhe sa Koverçiane, por i ka të gjitha brenda për skuadrat kombëtare. Kemi rikonstruktuar edhe katër stadiume të tjera, jo vetëm atë në Tiranë. Aktualisht jemi përzgjedhur për të organizuar edhe kampionatin Europian për Under-17 në vitin 2025. Kemi shfrytëzuar të gjitha burimet, me ndihmën e qeverisë dhe projekteve të FIFA-s dhe UEFA-s. Kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara”.

GRUPI NË EUROPIAN – “Kemi në grup kampionët e Europës, kampionë bote dhe finalisten e Kupës së Botës. Janë skuadra të forta, nga më të fortat në Europë. Në Europian është e vështirë të gjesh skuadra të dobëta. Janë të gjitha skuadra të forta. Ne mund të jemi nga skuadrat më të dobëta, jemi për të dytën herë në Europian. Siç e thashë në fillim, as ne nuk na ka dhuruar kush gjë. Kemi ardhur këtu me punën që kanë bërë lojtarët, me rezultatet e marra në grup. Do mundohemi të bëjmë më të mirën. Do tentojmë të kalojmë grupin, nëse nuk ia dalim do jemi të lumtur me pjesëmarrjen”.

PARASHIKIMI PËR EUROPIANIN – “Europianin e fiton Shqipëria (qesh). Nëse ndodh, e gjithë Shqipëria do të vijë në Gjermani për të parë finalen. Tani të flasim seriozisht, skuadrat më të forta janë ato të vazos së parë, Anglia, Franca, Portugalia. Gjithsesi në turne të tillë ka specifika të ndryshme dhe kurrë nuk dihet çfarë mund të ndodhë. Mund ta fitojë edhe Italia, siç bëri në vitin 2021. Për mua favoritët janë Franca, Anglia e Italia”, përfundoi Duka intervistën.