Dhomat e Specializuara në Hagë miratuan kërkesën e Prokurorit të Specializuar për të kufizuar takimet dhe komunikimet për ish-presidentin Hashim Thaçin dhe ish-zyrtarët e tjerë dhe ish-drejtuesit e luftës, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Ky vendim i gjykatës erdhi pasi sipas prokurorisë, janë shtuar përpjekjet për të ndërhyrë te dëshmitarë dhe për t’i penguar ata të flasin duke vënë në këtë mënyrë në pikëpyetje integritetin e procesit.
Sipas Zërit të Amerikës, prokurorët kanë arritur në konkluzione se “tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione të besueshme dhe në rastin e Hashim Thaçit, për të udhëzuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në vendimin e tij urdhëroi që vizitat jo të privilegjuara për të tre akuzuarit t’i nënshtrohen së pari miratimit nga Zyra e Regjistrimit.
Kështu, Thaçi, Veseli dhe Selimi nuk do të lejohet të takohen me më shumë se një vizitor, me përjashtim të vizitave nga bashkëshortet dhe fëmijët, si dhe zona e vizitës do të jetë pa muzikë ose zhurma të tjera të larta që mund të dëmtojnë komunikimin e dëgjimit. Trupi Gjykues në vendim po ashtu tha se të paraburgosurit nuk duhet të kenë një vizitor personal jo të privilegjuar në të njëjtën kohë me një të paraburgosur tjetër ose brenda një afërsie të tillë kohore që vizitorët mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.