Rubrika “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptar” në Tv Klan, sjell këtë të diel një rast shumë të trishtë të një vajze 17-vjeçare, e cila jeta e ka bërë të rritet para kohe. Vajza quhet Denisa, e ndonëse është përballur me shumë sfida, ajo mbetet po prapë e ëmbël dhe me një buzëqeshje në fytyrë.

Në një bisedë me moderatorin e programit, Ardit Gjebrea, ajo rrëfen historinë e jetës së saj. Denisa tregon se edhe pse e vogël, ajo ka vuajtur shumë. Sipas saj, kur mamaja ishte shtatzënë me të, për shkak gjendjes së keqe shëndetësore të babait, ky i fundit kishte kërkuar që ta dështonin. Por mamaja kishte kundërshtuar dhe kështu, Denisa erdhi në jetë.

17-vjeçarja shprehet më pas se prindërit, si pasojë e kushteve të këqija, e dërguan në “Shtëpinë e Foshnjes” në Durrës. Ndonëse Denisa arriti të kthehej sërish tek familja e saj, motra e vogël, e cila lindi më vonë, nuk e pati këtë mundësi.

Denisa: Mami ka qenë pa banesë. Që në moshën 6 vjeçe asaj i vdes e ëma dhe në moshën 9 vjeçe humbet mundësinë për të ecur si të gjithë të tjerët, se çalon. Pavarësisht asaj, mami mundohej i jepte gajret vetes që të ishte dikush, të punonte. Sepse kishte dhe 3 vëllezër, që duhet t’i shërbente vetë babai. Duhet të lante rrobat, duhet të milte lopën, gjithë punët e shtëpisë si një fshat. Pasi kaluan nga fshati erdhën në qytet me shumë vështirësi dhe mami u desh të martohej. Se kishte 3 vëllezër, me një shtëpi nuk mund të jetonin dot. Me shkuesi, u martua gjeti një burrë.

Ardit Gjebrea: Dhe linde ti.

Denisa: Dhe linda unë, që e falenderoj shumë. Kur kanë dashur që të më sillnin mua në jetë, që mami ka qenë shtatzënë, babi ka qenë dhe sëmurë dhe nuk ka dashur që unë të vija në jetë. I ka thënë që të më dështonin mua. Mami me kokëfortësinë e saj tha që “unë nuk e heq fëmijën, do ta mbaj sido që të jetë, me bukë pa bukë, dikush do të më ndihmoj”.

Ardit Gjebrea: Erdhe ti në jetë.

Denisa: Erdha unë në jetë, si bekim i mamit. Mamit iu desh që të më çonte mua për të më sjellë në jetë, në Tiranë, që pasi të lindja unë, të shkoja në “Shtëpinë e Foshnjës” Shkozet të Durrësit. Që mami të mos më mbante sepse nuk kishte as banesë, as kushte ekonomike, as shëndetësor, nuk kishte me çfarë të më ushqente.

Ardit Gjebrea: Të çuan ty tek shtëpia e fëmijës?

Denisa: Po. Më çuan atje, më lanë për një vit – një vit e gjysmë.

Ardit Gjebrea: 1 vit e gjysmë atje. Vinte mami, të shihte?

Denisa: Ka ardhur mami pas katër muajsh që më ka gjetur, kur u bë babi që u shërua. Ka dhe një foto, ku mami kur më ka parë mua, ka qarë atë ditë. I kanë bërë foto se nuk e dinte sesi unë isha sepse nuk kishte asnjë lloj informacioni. Qe fati që as unë nuk u birësova, si motra ime.

Ardit Gjebrea: Pse pastaj erdhi në jetë edhe një motër?

Denisa: Po, pas tre viteve, erdhi në jetë motra ime. Edhe mami përsëri tha që “do lind në Tiranë që të shkoj përsëri tek e njëjta ‘Shtëpi e Foshnjes’, ku qe goca e madhe”. Dhe tha që “do ta marrë pas tre viteve kur të bëhet tre vjeçe”, se nuk kishte as kushte të mira ekonomike, as shëndetësore. Pasi e çoi motrën atje, kaluan tre vite me sfida dhe gjithçka. Mami diagnostikohet nga kanceri i gjirit. Me gjithë ato peripeci, mamit iu desh që të shkonte të kryente operacionin, me kimioterapi, rreze. Dhe mua më la tek të afërmit e mi. Unë e ndieja shumë mungesën e mamit sepse isha 6 vjeçe. Nuk e di sesi më dukej jeta sepse isha mësuar me praninë e mamit.