Premier League njoftoi këtë të enjte, përmes platformave të saj zyrtare, se ndeshja Fulham-Burnley, e programuar më 23 dhjetor, do të jetë ndeshja e parë në ligën më të lartë angleze që do të gjykohet nga një femër. Gjyqtarja në fjalë është Rebecca Welch.

Kjo nuk është hera e parë që welch bën histori. Në vitin 2021, anglezja u bë gruaja e parë që u caktua për të arbitruar një ndeshje EFL, domethënë në nivelet dytësore.

Interesant është fakti se Welch ka qenë edhe gjyqtarja e ndeshjes mes Benfikës dhe Frankfurtit, në “Estádio da Luz”, në Champions League për femra.

Nuk do të jetë vetëm Rebecca Welch ajo që bën histori. Sam Allison gjithashtu do të shfaqet gjatë “Boxing day”, në Premier League. Anglezi do të gjykojë Sheffield-Luton, më 26 dhjetor, duke u bërë kështu arbitri i parë me ngjyrë që do të vendosë drejtësi në një ndeshje Premier League-s pas 15 vitesh (Uriah Rennie u dha fund arbitrimit në Premier League në vitin 2008)./SuperSport