Erjon Hoxhallari shpreson që Tirana të përdorë sa më mirë faktin që Partizani ka mungesa në këtë derbi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bardhebluve analizoi sfidën ndaj Erzenit dhe pohoi faktin se skuadra u mund me një gjuajtje në portë.hoxhallari
Lojtari foli gjatë për sistemin difensiv dhe çfarë pritet nga ekipi i tij. Hoxhallari kritikon edhe një herë tjetër lojën që bën skuadra në mbrojtje, por pranoi se derbi e ringjall skuadrën. Lojtari deklaroi se grupit i mungon kompaktësia që ka pasur në dy sezonet e fundit në Superiore. Këtë sezon Erjon Hoxhallari ka 998 minuta dhe 12 takime. Mbrojtësi është një nga titullarët e padiskutueshëm dhe ka munguar vetëm në një sfidë ku ishte me katër kartonë të verdhë.
Ju jeni një lojtar që e njihni mirë futbollin. Përse kjo skuadër është me oshilacione?
Mund të them që është lidhja që mungon. Ajo kompaktësia që nuk është siç ka qenë në dy vitet e mëparshme, në të cilat Tirana ishte në krye të klasifikimit dhe në luftën për titullin kampion.
Çfarë ka më shumë Tirana në krahasim me Partizanin?
Tani kjo ndeshje është llogaritje e secilës palë. Një ndeshje e paparashikueshme. I ka të tria rezultatet brenda dhe mund të ndodhë gjithçka. Partizani ka mungesa në ekip. Në fund shpresojmë që këto mungesa të na shërbejnë ne për të qenë superiorë në fushën e lojës dhe ta fitojmë këtë sfidë.
Keni humbur në sfidën e parë derbi ndaj Partizanit. Mendoni se do të jetë një sfidë ndryshe?
Derbet pothuajse janë të gjitha njëlloj. Shpresoj që eksperienca jonë në ndeshjet e kaluara dhe në skuadër, të bëjë diferencën dhe të zgjidhë ndeshjen. Shpresoj që në stadium të ketë sa më shumë tifozë, siç i ka hije tifozërisë bardheblu./PANORAMASPORT.AL