Interi i Simone Inzaghit deri në këtë pikë të sezonit i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë teksa zikaltërit kryesojnë renditjen e Serie A, si dhe kanë siguruar kualifikimin përtej fazës së grupeve në Champions League dhe i mbetet të diskutojnë vetëm vendin e parë në Grupin D përballë Real Sociedad.
Sipas ish-drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, suksesi i Interit të Inzaghit nuk vjen rastësisht. Ish-futbollisti shqiptar e njeh mirë Inzaghin prej kohës kur dyshja bashkëpunonte te Lazio, me Taren që thekson se tekniku 47-vjeçar ishte i destinuar për t’u bërë i madh në profesionin e tij.
“Nuk jam aspak i surprizuar nga puna e Inzaghit në krye të Inter. Ai ishte i destinuar për të prekur madhështinë, është nga ata persona që studion për futbollin gjatë gjithë ditës. E bën punën e tij me shumë përulësi dhe përkushtim, për mua ishte e pritshme që ai të përmirësohej. Tani mendoj se është një trajner i kompletuar dhe i meriton të gjitha lëvdatat.
Gara për titullin në Serie A? Inter dhe Juventus kanë diçka më shumë se skuadrat e tjera. Më pas vjen Milani dhe Napoli”, u shpreh Tare.