Serie A e futbollit mbylli ditën e tretë të javës së 16-të. Futbolli elitar tej Adriatikut nisi në 12:30, aty ku Milani mundi 3-0 Monzën. Në 18:00 Bologna fitoi 2-0 me Romën, teksa në 20:45 Interi mori tri pikë pas triumfit 0-2 ndaj Lazios. Zikaltërit pas javës së 16-të janë në krye të Serie A, katër pikë më shumë se Juvja. Nesër luhet sfida e fundit e javës mes Atalantës dhe Salernitanës në 20:45.
Pas pesë vitesh, Interi ia doli që të siguronte tri pikë në “Olimpico” përballë Lazios. Djemtë e Simone Inzaghit fituan 0-2 për javën e 16-të duke u shkëputur në krye të Serie A me katër pikë më shumë se Juventusi ndjekës. Dueli u zhbllokua pas një gafe në mbrojtjen vendase, me Lautaron që kaloi edhe portierin për ta ndalur topin në rrjetë. Në pjesën e dytë Thuram “vulosi” sfidën me golin e minutës së 66-të. Tanimë me 41 pikë Interi është në vendin e parë, teksa Lazio me 21 pikë qëndron në pozitën e 11-të. Hera e fundit që Interi merrte tri pikë në “Olimpicon” e Romës ishte 29 tetori i 2018 dhe për ironi të fatit në stolin e Lazios ndodhej Simone Inzaghi. Icardi me dopietë dhe Brozovic shënonin më shumë se pesë vite më parë, për suksesin 0-3.
Në “San Siro”, Milani fitoi 3-0 me Monzën për javën e 16-të. Kuqezinjtë e Piolit nuk e vendosën në diskutim suksesin, madje shënuan që në minutën e tretë me anë të Reijnders. Pjesa e dytë solli edhe një tjetër gol për kuqezinjtë, që shënuan me 18-vjeçarin Jan-Carlo Simic. Djaloshi mori një asist nga Leao dhe nuk gaboi. Në pjesën e dytë Okafor në të 76 minutë “vulosi” gjithçka për 3-0. Me këtë sukses Milani me 32 pikë shkon në vendin e tretë, teksa Monza me 21 pikë në vendin e 11-të.
Në “Artemio Franchi”, Fiorentina mundi 1-0 Veronën. Për javën e 16-të në Serie A djemtë e Italianos iu falën golit të Beltran në minutën e 78 të ndeshjes. Verona e pafat në këtë duel, teksa humbi një penallti me Djuric vetëm pas tre minutave lojë. Fiore me 27 pikë merr vendin e pestë, teksa Verona me 11 pikë ndodhet në pozitën e parafundit.
Bologna mundi 2-0 Romën dhe tanimë shijon vendin e katërt në Serie A pas javës së 16-të. Në “Renato Dall’Ara”, djemtë e Thiago Mottës shënuan golin e parë me Nikolo Moro në minutën e 37-të, pas një pasimi nga krahu i djathtë i Ndoye. Në pjesën e dytë Kristensen në minutën e 49-të shënoi autogol, për golin e dytë të vendasve. Tanimë Bologna është në zonën Champions dhe me 28 pikë mban vendin e katërt. Roma me 25 pikë është në pozitën e shtatë. Kujtojmë se te Roma mungonin Dybala i dëmtuar dhe Lukaku i pezulluar.
Serie A, java e 16-të – e dielë:
12:30 Milan 3-0 Monza
15:00 Fiorentina 1-0 Verona
15:00 Udinese 2-2 Sassuolo
18:00 Bologna 2-0 Roma
20:45 Lazio 0-2 Inter
Renditja: