Zbardhen detaje nga grabitja që rezultoi me plagosjen e 73-vjeçarit në Greqi, ndërsa pas ngjarjes të përfshirë janë dy shqiptarë. Mbetjet e ushqimeve dhe pijeve tradhtuan dy të rinjtë me origjinë shqiptare, të cilët ndodhen tashmë pas hekurave.
Mediat greke raportojnë se policia ka arritur të lokalizojë 25-vjeçarin Klodjan Saliaj, i cili goditi me thikë të plagosurin dhe bashkëpunëtorin e tij 18-vjeçar, nga mbetjet dhe kanaçeja e një pije energjike. Dy autorët kishin lënë mbetje të ushqimeve dhe një kanaçe, të cilat i kishin blerë nga një supermarket aty pranë banesës së të moshuarit, ndërsa punonjësi që i shiste i kishte parë.
Ndërkohë, 73-vjeçari, viktima e një grabitjeje brutale me thikë në shtëpinë e tij në Kefaloni, mbrëmjen e së mërkurës, po luftonte për të qëndruar gjallë në Spitalin Universitar të Janinës. Sulmuesi 25-vjeçar e ka goditur me thikë në bark, kofshë dhe brinjë fatkeqin, pasi fillimisht i ka kërkuar para. Autorët u arrestuan, por familjarët e 73-vjeçarit po përjetojnë momente dramatike ankthi për shkak të kritikës së situatës së tij. “48 orët e ardhshme janë shumë kritike”, tha nipi i 73-vjeçarit për Mega.