Faza e re më e përgjakshme e luftës Izrael-Hamas po shpaloset në qytetin e dytë më të madh në Rripin e Gazës, Khan Younis. Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj janë zhvendosur në “zemrën e qytetit”, i cili është bërë objektivi i parë pas vendimit të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në pjesën jugore të enklavës palestineze.

Sipas forcave të armatosura izraelite, dita e djeshme u shënua nga luftimet më të ashpra që nga fillimi i operacioneve të saj ushtarake në Rripin e Gazës pesë javë më parë. “Jemi në ditën më intensive që nga fillimi i operacionit tokësor”, tha komandanti i Komandës Jugore të ushtrisë izraelite, gjenerali Yaron Finkelman.

Në të njëjtën kohë, luftimet janë gjithashtu të ndezura në veri, me Izraelin që raporton se forcat e tij tani po veprojnë gjithashtu në zemër të Jabaliya dhe Sujaiya, duke siguruar disa bastione të Hamasit.

Ushtria izraelite po bën përsëri thirrje që gati 80% e popullsisë – tashmë të zhvendosur – të zhvendoset në zona të tjera, më në jug në Rripin e Gazës duke shkaktuar një valë të re zhvendosjesh dhe duke përkeqësuar më tej krizën tashmë ekzistuese humanitare.

Izraeli akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Herji Halevi duke pranuar se forcat izraelite po godasin rëndë infrastrukturën urbane pasi siç thotë ai janë militantë të grupit palestinez islamik që fshehin armë në to dhe vishen me rroba civile për të sulmuar ushtarët izraelitë.