Roma e Jose Mourinhos duket se ka gjetur ekuilibrat e duhura në fushë, teksa me 6 fitore në 8 ndeshjet e fundit është ngjitur në vendin e katërt, megjithatë kalendari ka rezervuar një ferr të vërtetë deri në fund të fazës së parë.
Gjithçka nis nga mbrëmja e të dielës, me vedhekuqtë që do të presin në “Olimpico” skuadrën e Fiorentinës, një ekip mjaft simpatik, që di të luajë mirë futboll dhe të vërë në vështirësi cilindo kundërshtar.
Fill pas saj, Roma do të impenjohet në Europa League përballë Sheriff Tiraspol, ndërsa në fundjavë, do të udhëtojë drejt Bolognës për t’u përballur me emilianët e Mottës.
Dy ndeshjet e fundit të vitit do të jenë ndaj Napolit në shtëpi dhe më pas më 30 dhjetor në transfertën torineze ndaj Juventusit, në “Allianz Stadium”.
E po kaq i komplikuar sa fundi i vitit, do të jetë edhe fillimi i 2024-ës, me Romën që do të përballet fillimisht me Atalantën në shtëpi dhe më pas do të udhëtojë drejt Milanos, për të sfiduar kuqezinjtë e Piolit.
Një kalendar mjaft i komplikuar për verdhekuqtë e Mourinhos, që do të përballen me 5 nga 7 skuadrat e kreut të renditjes, teksa pikërisht rezultatet në këto takime do të vendosin jo pak sa u përket objektivave sezonalë të Romës. /Supersport