Tirana, Dinamo, Erzeni, Laçi e Skënderbeu janë skuadrat që në këtë moment që flasim janë me merkato të bllokuar. Kjo është gjendja e Kategorisë Superiore. Gjysma e skuadrave të Superiores nga 1 janari nuk mund të afrojnë dot lojtarë, edhe pse kërkojnë futbollistë në çdo cep të botës.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se tri skuadra të Superiores kanë bllokim nga FIFA. Ato janë Tirana, Laçi dhe Erzeni. Nga FSHF-ja janë bardheblutë, Skënderbeu dhe Dinamo. Të gjitha ekipet kanë detyrime të pashlyera ndaj lojtarëve apo klubeve të tjera. Ama është vetëm periudha nga data 1 janar deri më 31 janar kur çdo skuadër do të rregullojë hapjen e regjistrimit të lojtarëve.

TIRANA – Bardheblutë dihet që kanë një problem me Tim Vairinenin si dhe dyshen Asion Daja dhe Edon Hasani. Duhet të paguajnë, që të regjistrojnë lojtarë. Klubi, në fakt, nuk ka dalë me ndonjë deklaratë zyrtare, por javë më parë Tirana ishte e bindur që merkatoja nuk ishte problem për t’u zhbllokuar.

TË TJERAT – Merkatoja e skuadrave të tjera është bllokuar prej disa futbollistëve. Skënderbeu prej Dejvi Bregut, ndërsa Dinamo prej një ish-zyrtari të saj. Për Laçin dhe Erzenin janë disa detyrime që duhet të paguhen deri në 31 janar.

VJET – E njëjta situatë në Superiore ishte edhe vjet me shumë skuadra që kishin merkaton e bllokuar. Tirana, Skënderbeu, Teuta, Laçi, Kastrioti dhe Bylisi ishin ekipet shqiptare me merkato të bllokuar.

Klubet shqiptare vazhdojnë ta vuajnë ende sot problematikën e anës administrative, më saktë të rregullsisë së dokumentacionit me marrëveshjet që firmosin apo prishin me futbollistë të ndryshëm.

Ata dalin zbuluar sa herë që një lojtar, sidomos të huajt, çojnë dhe fitojnë në FIFA një çështje për likuidime të pashlyera financiare. Më e keqja është se në këtë situatë gjenden shpesh në sesionet e merkatos edhe klubet e Superiores, madje edhe ato me më shumë emër.

Zgjidhja e vetme ka qenë marrëveshja, por duket se këtë vit ajo nuk pi më ujë.