Nga Helena Halilaj/
Kohë grash…
Po vijnë kohë të zorshe çdo ditë sapo çel e re…vrapojnë gratë nëpër punë edhe më shpejt se burrat, me çantat lidhur ndër duar nuk ndalen askund, asgjë nuk i frenon më… kohë e grave në kohën që burrat e kanë zhveshur përgjegjësinë, kujdesin dhe admirimin për gruan, ka shumë që se kanë mësuar se babai nuk e admironte nënën e tyre, ja pra se edhe në shtëpinë e vogël mësohen ato të mëdhatë e rëndësishme.
Kohë të grave me sytë e rënë e dikush të futur thellë në dhimbje të fatit e të kohës, të vetmisë dhe zhgënjimit, kohë që bëjnë potere për ato gra pa taka e botox që ruajnë hijeshinë e gushës me rrudha e syve pak të nxirë, diku nga meraku e diku nga pritja…
Kohë e grave që bëjnë dhe punët e dikurshme të burrave e nuk ankohen si ato, që edhe turnet i bëjnë e gjellën nuk harrojnë ta lënë mbi sobë, që lajnë natën e shndrisin ditën, e nuk takohen askund me ankesat…
Gra që kanë mundur atë çka nuk u thuhet në sy dhe vazhdojnë në udhën që e dinë ku shkohet te suksesi…
Gra me zë që frymëzojnë e plot që puna e tyre ju flet përditë nëpër ca zyra akoma me myk po që ato pastërtisht punojnë në këtë shoqëri tranzit të meritës dhe vlerësimit…
Kohë grash, do të jetë gjatë…Me i dashtë gratë është e vështirë se janë plot ëndërra dhe barrë e rëndë nuk rri në burra të vegjël…