Në fjalën e tij në Panelin mbi Qeverisjen Vendore, që u zhvillua në Kongresin e Partisë Socialiste, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, foli për përmirësimet që solli reforma territoriale në zhvillimin e bashkive të vendit, e cila shënon edhe 10 vite nga implementimi i saj. Po ashtu, paneli u ndal edhe te qytetet si mekanizma të zhvillimit ekonomik.
“Dua të kujtoj një fakt të vogël, para 7 muajve shqiptarët i besuan 54 nga 61 bashki, 96% e popullsisë së Shqipërisë nga kryetarëve bashkisë të PS. Dhe PS ka një përgjegjësi të madhe. Kemi 10 vite me një reformë që ndoshta është reforma më e rëndësishme që PS ka realizuar, duke rritur eficiensën, mënyrën sesi ofrohen shërbimet, duke përqendruar financat , por jemi në një moment që duhet të shohim akoma më tej. Forca e dytë që shtyn një reformë është momenti në të cilin ne gjendemi në raport me BE, 70% e ligjeve të BE implementohen në nivel vendor, pjesa më e madhe e financimit që i jep BE vendeve gjatë procesit të integrimit po ashtu implementohet në nivel vendor, kjo do të thotë që bashkitë tona duhet të bëhen gati sot, për të ideuar dhe zbatuar projekte që kthehen në dobi të qytetarëve. Forca e tretë ka të bëjë me faktin se duhet të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën sesi i shohim qytetet tona, duke i kthyer ato në agjent të zhvillimit ekonomik.
Puna ka nisur prej disa muajve për identifikimin e treguesve për performancën e bashkive në të gjitha fushat. Dhe nga kjo paketë duam të krijojmë një analizë në vitin 2024, për kompetencat dhe funksionet e bashkive. Dhe nga këtu të bëjmë një rikonstruksion të kompetencave. Si dhe mënyrën e shpërndarjes së granteve. Po ashtu të diskutojmë së bashku çështjen e territorit, a kemi një provë që tani pas 10 viteve, bashkitë kur janë më të mëdha ofrojnë shërbime më të mira. Më pas do nisim një paketë mbështetjeje për bashkitë, një rezultat direkt i turit që po zhvillojmë me bashkitë e vendit” tha Mazniku.
Ministri Mazniku shtoi se: “Synimi i përgjithshëm i agjendës 2030 është që ne të kemi bashki të forta që i dali zot territorit të tyre dhe që kthehen në agjent të zhvillimit ekonomik të tyre dhe vetëm PS mund ta realizojë këtë gjë.”