Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot (23 Dhjetor) një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, i cili deklaroi se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për të sulmuar Kosovën.

Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte porositur nga shteti serb i cili u ka dhënë urdhra peronave që e kanë udhëhequr këtë sulm ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve në mjediset e kompanisë ‘Novi Pazar Put”, tha Kurti.

Sipas tij, automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion.

“Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të SHBA-së, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alensadar Gerbovic me pseudonimin Gërba. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i Komunës së Pozhegës në vitin 2008”, tha Kurti.

Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash.

“Gjatë vizitës ai e kishte lëvduar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim. Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua të cilët sipas tij, po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, tha Kurti.

Më tej, kryeministri ka shtuar se pas sulmit terrorist dhe kriminal më 24 shtator, Radoiçiçi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde.

“Ai tani po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, Radoiçiçi është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s”, tha Kurti.

Sipas tij, ambientet e firmës ‘Jabllanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve shpërthyese për sulmet e ardhshme nga Radoiçiçi dhe grupi i tij.

“Por realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit ‘Mbrojtja Civile’ që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiçit po strehohen në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2000 euro në muaj”, tha Kurti.