Aktorja Zamira Kita ka nisur një mesazh ngushëllimi për humbjen e aktorit Mirush Kabashit, ndërsa rrëfen raportin e saj me të.

Në një linjë telefonike me News24, Kita shprehet se me Kabashin është njohur që në rininë e saj dhe se prej atëherë ka ndërtuar një miqësi të fortë me të.

Duke e quajtur ndarjen e tij nga jeta si një ditë jo të mirë për skenën dhe artdashësit shqiptarë, aktorja tregon se si Kabashi kujdesej gjithnjë të zhvillonte ide për përmirësim.

“Kjo është një ditë jo e mirë për skenën dhe artdashësit shqiptarë. Lidhja me Kabashin është shumë e hershme. Kam krijuar dhe një miqësi të fortë me të.

Mirushi zhvillonte ide për të perfeksionuar festivalin e ‘Koko Fest’. Karriera e tij dhe mjeshtëria e madhe e tij ka bërë që të jetë ‘Nderi i Kombit’ dhe mjeshtri i madh i skenës. Ne jo vetëm që kemi ndjekur shfaqjet, por jemi përpjekur që së bashku të shëtisnim në vende të bukura turistike të Korçës, ku ne kemi marrë kënaqësi. Doja të shprehja ngushëllimet për familjarëve, komunitetet artistik dhe kujtdo që ka ndjekur veprat e tij.”, u shpreh Kita.