SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për të arrestuar Sali Berishën. Dhe, vota e Luan Baçit, një prej mbështetësve të tij më besnikë, do të jetë kundër.
I ftuar në “Ditari” në A2 CNN, deputeti demokrat tregoi se vota e tij kundër vjen si shkak i mosrespektimit të procedurës nga Struktura e Posaçme. “Nëse kërkesa e SPAK do të kishte ardhur në fillim. Jo vetëm unë, por të gjithë deputetët do ta kishim votuar, pavarësisht rezervave,” shtoi ai.
Një ditë më parë, edhe vetë lideri i “Rithemelimit” deklaroi në A2 CNN se deputetet që e mbështesin kanë nisur një aksion opozitar në parlament dhe se ky aksion do të vijojë siç është planifikuar. Pra, duke nënkuptuar kështu se me shumë gjasa pjesëmarrje në votim nuk do të ketë.
Ndërsa, duke u ndalur te seanca e nesërme plenare, Luan Baçi konfirmoi se skenari i ndjekur nga deputetët e Rithemelimit do të jetë i njëjti:
“Do të bëj tentativë të vete në parlament sepse e gjykoj të padrejtë përjashtimin.”
Por si do të ndikojë mungesa e mundshme e Sali Berishës në hapat që pritet të marrë në vijim opozita deri në plotësimin e kushteve të saj? Baçi thotë se ndikimi nuk mund të jetë veçse pozitiv.