Shkatërrimi i argjinaturave mbrojtëse, gërryerjet pa kriter dhe prerjet e pyjeve kanë bërë që ndër vite lumenjtë të gllabërojnë hektarë të tërë tokash bujqësore.

Lumi Shkumbin përshkon Bashkinë e Elbasanit në një gjatësi rreth 33 km ndërsa ndër vite llogaritet të ketë marrë një sipërfaqe prej 15 hektarë tokë bujqësore. Vitet e fundit është investuar në ndërtimin e pritave mbrojtëse dhe tashmë 60% e sipërfaqes është e mbrojtur, probleme shfaqen në pjesën e mbetur.

“Gërryerjet e tokave bujqësore nga lumi Shkumbin janë të hershme. Ndër vite Shkumbini ka gërryer tokat bujqësore në të dy anët e tij.

Shkumbini përshkon Bashkinë e Elbasanit në 33 km nga të cilat janë të mirëmbajtura me argjinaturë 60 për qind e gjatësisë. Probleme kemi në Polis Valë, në Shushicë dhe Papër. Kemi humbje të fondit të tokës bujqësore pas viteve 90 në rreth 15 hektarë. Vitet e fundit janë ndërtuar mbi 10 km argjinatura në të dy anët e lumit Shkumbin”- tha Ndriçim Sinani, Drejtor i Emergjencave Civile Elbasan.

Një tjetër problematikë e cila gjithnjë e më shumë po prek tokat bujqësore janë rrëshqitjet masive, një pjesë e të cilave sërish kanë shkaktar dorën e njeriut. Mos sistemimi i ujërave sipërfaqësore dhe sërish prerja e pyjeve ka bërë që në disa fshatra të ketë rrëshqitje masive të tokave të cilat jo pak herë kanë dëmtuar edhe banesa.