4 ndeshje radhazi pa fitore janë shifra që flasin qartë, Man.City nuk është në momentin e tij më të mirë, por “qytetarët” kanë pasur një kalendar “ferri”, ku në katër sfidat e fundit në Premier League janë përballuar me të gjithë pretendentët, Chelsea, Liverpool, Tottenham dhe së fundmi Aston Villa. Në Villa Park, ekipi i Pep Guardiola-s mori një leksion të vërtetë pasi ekipi i Emery e dominoi në çdo aspekt: 22 raste për gol, 7 gjuajte në kuadrat, kundrejt dy gjuajtjeve në kuadrat nga ana e City, më saktë vetëm një rast të pastër me Haaland.

Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Aston Villa kaloi në avantazh në minutën e 74-të, ku goditja e Bailey gjeti një devijim duke përfunduar në rrjetë. Villa kishte shansin dhe të realizonte golin e dytë, por portieri Ederson dhe shtylla nuk lejuan që rezultati të ndryshonte. Fal këtij suksesi minimal 1-0, Aston Villa parakalon Man.City në renditje duke u pozicionuar në vendin e tretë me 32 pikë, 2 më shumë se sa Man.City:

“Ky rezultat ishte dhe një lloj përfundimi i asaj që kemi bërë në ndeshjet e fundit, ku nuk kemi fituar, ishim nën presion. Kjo është cilësia e Premier League, ku të gjithë ekipet janë të shkëlqyera. Ne do të përpiqemi të bëjmë punën tonë, por Aston Villa ishte më mirë se ne, e merituan”, u shpreh Guardiola pas ndeshjes.