Autori i armatosur që vrau 14 persona në një universitet në Pragë, ka rrëfyer për një vrasje të dyfishtë të mëparshme në shënimin e tij vetëvrasës, ka thënë policia çeke.
Shënimi i gjetur në shtëpinë e David Kozak përmbante një rrëfim se ai kishte qëlluar për vdekje një burrë dhe vajzën e tij të vogël në pyll afër qytetit më 15 dhjetor, gjashtë ditë përpara sulmit në Universitetin Charles.
Policia tha se ai kishte qenë në një listë prej 4,000 të dyshuarve për vrasjet e tyre. Kozak vrau edhe babanë e tij, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave të tij në 17.
Sulmi në universitet më 21 dhjetor është sulmi masiv më i keq në historinë çeke. Kozak, një 24-vjeçar student i magjistraturës së historisë në universitet, vrau veten pasi u rrethua nga policia e armatosur.
Siç u raportua fillimisht në gazetën Denik N, shënimi u zbulua nga policia në shtëpinë e Kozakut më 21 dhjetor, në të njëjtën ditë me sulmi. Në ditarin e tij ai rrëfeu se kishte vrarë vajzën dhe babain me armë zjarri në pyllin e Klanovicës në periferi lindore të kryeqytetit një javë më parë.
Viktimat raportohet se janë një burrë 32-vjeçar dhe një vajzë dy muajshe, raportojnë mediat çeke. Sulmi i javës së kaluar në universitet u përqendrua në ndërtesën e Fakultetit të Arteve në sheshin Jan Palach, ku Kozak u pa duke hapur zjarr nga çatia.
Stafit të universitetit dhe studentëve iu tha të barrikadojnë veten gjatë sulmit. Trembëdhjetë persona vdiqën në universitet, ndërsa viktima e katërmbëdhjetë vdiq nga plagët e marra në spital. 25 persona të tjerë u plagosën.
Policia nuk ka bërë të ditur motivet e mundshme të vrasjes, duke thënë se hetimet janë duke vazhduar. Ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive të të gjitha qyteteve dhe fshatrave të anulojnë shfaqjet e fishekzjarrëve të Vitit të Ri.
Në mediat sociale, ai u bëri thirrje të gjithë çekëve që ta festojnë ndërrimin e viteve në një mënyrë paqësore, duke thënë se kjo ishte më e pakta që mund të bënte kombi. Sulmi në universitet pati një nga shifrat më të mëdha të vdekjeve nga të shtënat masive nga një person i vetëm i armatosur në Europë këtë shekull.