Kjo e shtunë është ditë zie kombëtare për Çekinë, pas masakrës me dhjetëra të vdekur në Universitetin e Pragës. Flamujt në ndërtesat zyrtare janë valëvitur në gjysmështizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje.
Në një deklaratë, kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi ishte tronditur nga ky “akt i tmerrshëm”.
“Është e vështirë të gjesh fjalë për të shprehur dënimin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, dhimbjen dhe trishtimin që ndjen e gjithë shoqëria jonë në këto ditë para Krishtlindjeve”.
Detajet që dalin në dritë për vrasjen e tmerrshme masive, që ka tronditur mbarë Evropën, janë rrëqethëse. Në një video të publikuar nga policia, ata duket se janë në kërkim të sulmuesit për ta imobilizuar, duke “vrapuar” në ndërtesë por në fund e gjejnë të vdekur. Ata u bërtasin njerëzve që të largohen dhe i ndihmojnë ata ta bëjnë këtë.
Republika Çeke është në zi për sulmin më të madh të armatosur në historinë moderne, ku të vdekurit kanë arritur në 15./