Massimiliano Allegri është tashmë në sezonin e tij të tretë tek Juventus që prej rikthimit në krye të bardhezinjve më datë 28 maj të vitit 2021.

Ndryshe nga dy vitet e para kur torinezët ishin detyruar të bënin rolin e skuadrës ndjekëse që në fillimin e kampionatit, në këtë sezon, Juventus e ka nisur Serie A me “gazin” në maksimum.
Nëse krahasojmë statistikat e dy sezoneve të parë, kjo skuadër ka grumbulluar shumë më tepër pikë. Aktualisht, Juventus pas 14 javësh ka koleksionuar 33 pikë ndërsa Juventusi i vitit të kaluar të Allegrit ishte në kuotën e 21 pikëve. Diçka më mirë ishte Juventus i vitit të dytë me bardhezinjtë që ishin në kuotën e 28 pikëve pas të njëjtit numër ndeshjesh.

Në të dyja rastet, Juventusi ia doli të kualifikohej në zonën Champions (pavarësisht se penalizimi me pikë në sezonin e fundit e la jashtë Europës) që është edhe objektivi parësor i këtij sezoni. Por, pavarësisht se në Torino nuk e thonë me zë të lartë, e mendojnë edhe titullin kampion.
Statistikat entuziazmojnë Juventusin akoma më shumë kur trajneri Allegri e ka fituar titullin edhe në momentin kur në këtë pikë të kampionatit ka pasur vetëm 24 pikë. Ekzaktësisht në sezonin 2015/2016 me baerdhezinjtë që ia dolën në fund të “parakalonin” Napolin. E vërteta është se tashmë është një tjetër konkurrent, Interi.

Zikaltërit e kanë treguar forcën e tyre dhe për momentin qëndrojnë vetëm dy pikë mbi “Zonjën e Vjetër”. Plani i bardhezinjve është i qartë; të qëndrojnë pranë Inter deri në pranverë dhe më pas të shpresojnë që Europa t’i “shterojë” energjitë zikaltërve dhe në “sprintin” final t’i parakalojnë për t’u rikthyer te titulli që mungon prej sezonit 2019/2020.