Menopauza për shumicën e grave është një periudhë që vjen e shoqëruar me një mori ndryshimesh, zakonisht të pakëndshme. Kjo është një nga periudhat me luhatjet hormonale më intensive, të cilat shkaktojnë një sërë simptomash, si shtim në peshë, por edhe afshe të forta.

Për të përballuar simptomat e pakëndshme, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme dhe cilësinë e tyre, gratë zakonisht i drejtohen terapisë hormonale, gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekut. Megjithatë, si çdo mjekim, edhe ky karakterizohet nga disa efekte anësore, ku kryesoret janë se kur përdoren për një kohë të gjatë, rritet rreziku i kancerit gjinekologjik, veçanërisht të vezoreve dhe gjirit. Në përpjekje për të gjetur alternativa për të lehtësuar simptomat e menopauzës, një ekip shkencor zbuloi një dietë të veçantë për këto raste.

Ekipi hulumtues zbuloi se një dietë e bazuar në produkte bimore dhe me përmbajtje të lartë soje mund të ndihmojë në reduktimin e afsheve të nxehta deri në 88%. Në të njëjtën kohë, ky model i të ushqyerit kontribuon në humbjen e peshës, e cila zakonisht vërehet gjatë kësaj periudhe. “Nuk është ende e qartë pse kjo dietë është e dobishme, por duket se është për shkak të tre arsyeve kryesore: Shmangia e produkteve shtazore, reduktimi i yndyrës dhe shtimi i sojës. Rezultatet sugjerojnë se mund të mos jetë rastësi që në zona të tilla si Japonia, e cila ndjek një dietë me bazë bimore, me pak yndyrë dhe të pasur me soje, gratë në menopauzë përjetojnë më pak simptoma.”- tha studiuesi kryesor Neal Barnard, kryetar i Komitetit të Mjekëve dhe asistent profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit George Washington.

“Studimi demonstron efektivitetin e ndërhyrjeve ushqyese në trajtimin e simptomave të menopauzës. Në të njëjtën kohë, të njëjtat ndërhyrje ulin shqetësimet për rreziqet shëndetësore që sjell menopauza, si rritja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit të gjirit, por edhe problemet e kujtesës.”, përfundon Dr. Barnard.