Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë tre drejtues mjeti “për korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë Rrugore e mbetur në tentativë.

Të kapur në shkelje këta tre shtetas kanë tentuar t’i ofrojnë punonjësit të Policisë së Shtetit ryshfet për t’i shpëtuar gjobës apo heqjes së lejes së drejtimit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri të ditur se lufta kundër këtij fenomeni do të intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë.

Ai bëri thirrje për shkelësit e normave të qarkullimit rrugor që të mos tentojnë të korruptojnë punonjuësit e policisë për të shpëtuar nga gjobat pasi rrezikojnë dënim me burg deri në 3 vite.

“Nxis qytetarët dhe mediat të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit. Qytetarët presin nga ne zbatim të fortë të ligjit për çdo rast të tejkalimit kriminal të shpejtësisë në zonat e banuara dhe në rrugë të tjera, mosdhënia e përparësisë këmbësorëve, parakalimet, vendqëndrimet e gabuara, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit apo mos-vendosja e rripit të sigurimit”, deklaroi Balla.