Në panelin e sigurisë në Shqipëri, që u mbajt në Kongresin e PS-së, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ka ulje drastike të vrasjeve në vend, ku për vitin 2023 janë 32 krahasuar me 42 në 2022-shin.

“Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e jursidiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash. Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është një detyrë prioritare për policinë dhe prokurorinë. Ka një rënie drastike të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 32 deri më tani 2023 krahasuar me 42 në vitin 2022 dhe me 124 në vitin 2012. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë. Këtu nuk duhet lënë pa përmendur edhe rritja e zbulueshmërisë dhe forcës parandaluese.

Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e përcakton tashmë Shqipërinë si një vend me indicator sigurie më të lartë sesa fqinjë tanët të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian. Vetëm në 20 javët e fundit, Policia e Shtetit ka realizuar 13 Operacione Kombëtare dhe 490 operacione policore lokale, me 3549 persona të ndaluar. Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton cdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta. Deri në këtë moment falë Operacionit Kombëtar “TEMPULLI” janë goditur 24 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 495 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike.

Operacioni Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” po jep gjithashtu rezultate të kënaqshme duke cuar para drejtësisë 302 shtetas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, grupe kriminale të përfshira në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, për armëmbajtje pa leje, për mashtrim, kontrabandë dhe krime të tjera ekonomike. Në vijim të pastrimit të alpeve dhe zonave të tjera në të gjithë territorin, janë asgjësuar 180 371 bimë narkotike cannabis sativa, me 148 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Janë parandaluar nga Policia e Shtetit 45 ngjarje kriminale dhe kjo duhet të sfida e re e punës së përditshme të policisë”, tha Balla.