Lionel Messi është gati për një fillim të ri dhe me plot ngjarje në vitin 2024. Inter Miami ka një program të detajuar për vitin e ardhshëm, përfshirë një sërë ndeshjesh ndërkombëtare dhe takime vendimtare në kompeticionet vendëse. Udhëtimi fillon me një përplasje parasezonale kundër ekipit kombëtar të El Salvadorit më 19 janar, në stadiumin “Cuscatlán” në San Salvador. Kjo ndeshje shënon fillimin e përgatitjeve të Inter Miamit për sezonin emocionues të vitit 2024.

Turneu aziatik i Inter Miamit

Pas kësaj, Messi nis një turne emocionues në Azi, ku do të ritakohet me disa “yje” të futbollit. Më 29 janar ai do të përballet me Al Hilalin, në Riad, për t’u ribashkuar me mikun e tij të ngushtë Neymar, ndonëse braziliani nuk mund të zbresë në fushë për shkak të dëmtimit. Në një takim të radhës, më 1 shkurt, Messi do të përballet me Cristiano Ronaldon dhe Al Nassr, që mund të shënojë përballjen e fundit mes dy ikonave të futbollit.

Mes këtyre angazhimeve ndërkombëtare, do të spikatë rikthimi prekës i Messit në stadiumin “DRV-PNK”, më 15 shkurt. Inter Miami përballet me Neëell’s Old Boys, klubi i fëmijërisë të Messit, në një ndeshje që pritet të bëjë jehonë në mbarë botën.

Programi i ngjeshur vazhdon me fillimin e sezonit të MLS-së, më 21 shkurt, ku Inter Miami do të përballet me Real Salt Lake në stadiumin “DRV-PNK”, në Fort Lauderdale. Ekipi nga Florida më pas do të përballet me Los Angeles Galaxy, më 25 shkurt, si dhe me Orlando City SC më 2 mars.

Gjithsesi, fikusi do të jetë në fillimin e Kupës së Kampionëve Concacaf, ku Inter Miami, pasi ka siguruar pjesëmarrjen në këtë kompeticion, do të përballet me Nashville SC ose Moca të Republikës Domenikane. Ndeshja e parë është caktuar për më 4 mars, ndërsa takimi i kthimit më 13 mars.