Nga zyra e kryeministrit thanë se diskutimi mes Presidentes Osmani dhe kreut të qeverisë ishte kryesisht për ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, të cilin synon ta sfidojë avokati i popullit duke e dërguar atë në kushtetuese.

Vetë kryetarja e shtetit konfirmoi të njëjtin version si kryeministria, që temë që nxiti përplasje të ishte ajo e ligjit për zgjedhjet.

“Për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista. Kështu që është përpjekje e vazhdueshme.”, u shpreh Vjosa Osmani.

Gjatë eventit, presidentja kërkoi nga të gjithë që të rregullohet çështja e barazisë gjinore, ndërsa theksoi se fokusi i këtij viti për institucionet ka qenë garantimi i sigurisë në vend.

“Siç e dini fokusi gjatë këtij viti ka qenë tekë ruajtja dhe garantim i sigurisë në vend për shkak të sfidave që paraqiten nga fqinji jonë Serbia. Në takimin e fundit të këtij Këshilli tema ka qenë dhuna në baza gjinore. Dhuna vazhdon që të jetë një kambanë alarmuese, kishim rastin e Liridona Ademajt që janë shndërruar në tragjedi”, vijoi Osmani.

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, u ndal më shumë në çështjen e sigurisë në veri të Kosovës duke ndarë përshtypjet e shfaqura nga shumë përfaqësues të vendeve të ndryshme.

“Kanë shprehur një farë habi se sa, jo vetëm të pranishëm por edhe sa të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri. Pritjet e tyre kur vinë në Kosovë janë që kanë një refuzim, që qytetarët serb të Kosovës e shohin pranin e institucioneve tona si të sigurisë dhe të drejtësisë si të pa dëshirueshme, ndërsa eksperienca që kanë këtë njerëz që kanë më veri është krejt e kundërta e asaj”, tha Gërvalla.

Këtë vlerësim u duk sikur e cënoi paksa ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, duke deklaruar se në operacionin e ditëve të fundit ishte vënë në rrezik jeta e një polici në veri.