Roma nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 ndaj Fiorentinës, në një ndeshje që e mbylli me 9 futbollistë, pas kartonëve të kuq të marrë nga Zalewski dhe Lukaku, teksa Jose Mourinho zgjodhi të heshtë pas takimit. Megjithatë reagimi i portugezit erdhi një ditë më vonë në rrjetet sociale, ku postoi katër foto nga ndeshja dhe nga një dedikim për secilën prej tyre.

“Vëllezërit, janë gjithmonë vëllezër”, shkruante portugezi në foton e parë, ku takohej me argjentinasin Nicolas Burdiso, aktualisht drejtues te Fiorentina, por dikur pjesë e Interit që drejtohej nga Mourinho.

Fotoja e dytë ishte mesazhi i tifozerisë së Romës për portugezin, teksa Mourinho nuk ngurroi t’i falënderojë tre herë dhe të vendosë një sërë zemrash verdhekuqe.

Fotoja e tretë ishte një ndërhyrje me takë e Kayode ndaj Zalewskit, të cilën Mourinho kishte zgjedhur ta komentojë me një shprehje të Ciceronit. “Heshtja është një nga artet më të mëdha të bisedës”, shkruante Mourinho, duke mos komentuar më tej ndërhyrjen.

Fotoja e katërt dhe e fundit ishte përzgjedhur për të bërë edhe pak humor. Në fakt ishte fotoja e djalit që kap topat, i cili në fund u përdor nga portugezi për të dërguar një letër te portieri Rui Patricio. “Ky këtu jam unë para 50 vitesh”, shkruante portugezi në diciturën e asaj fotoje.