Roma luan të enjten ndeshjen e fundit në Grupin G të Europa League teksa verdhekuqtë presin në Olimpico, Sheriff Tiraspolin. Italianët kanë siguruar kualifikimin, megjithatë fatet e vendit të parë nuk varen nga ata duke qenë se Sparta e Pragës ka avantazhin e dy pikëve.

Në konferencën për shtyp, trajneri i Romës, Jose Mourinho foli për ndeshjen, por mbi të gjitha u ndal te merkato. Portugezi u shpreh se do të ndjehej mjaft i lumtur nëse në merkato skuadra do të përforcohej me një mbrojtës, pasi aq janë mundësitë ekonomike. Nuk mungoi edhe një thumbim i Mourinhos për Manchester Cityn duke theksuar se ata e kanë luksin të blejnë një lojtar për 80 milionë euro (Phillips) dhe më pas ta largojnë atë.

“Merkato jonë do të jenë gjithmonë në përshtatje me kushte ekonomike. Unë jam trajneri dhe më pas drejtori e presidenti, të gjithë kemi një objektiv. Por, nuk mund të bëjmë çmenduri sepse ky është realiteti ynë. Unë do të isha tejet i lumtur nëse në merkaton e janarit mbërrin një mbrojtës.

A do të doja më shumë lojtarë? Sigurisht që po, por dëshira janë tjera nga mundësitë. Ne nuk jemi Manchester City, ata morën një lojtar për 80 milionë euro dhe tani do e shesin. Më pas do të blejnë një tjetër. Më vjen keq, por ne jemi në një tjetër realitet”, u shpreh Mourinho.