Në Boxing Day, Premier League dhuroi një sfidë të fantastike, Man.United-Aston Villa, 5 gola të shënuar, përmbysje e çmendur dhe dy protagonistë absolut, Garnacho, autor i një “dopietë” dhe Hojlund, me danezin që realizoi golin e tij të parë në Premier League. “Djajtë e kuq” përjetuan fillimisht “ferrin” në “Old Trafford” teksa Aston Villa i tronditi me një dy golësh brenda pjesës së parë. McGinn realizoi një gol drejtpërdrejt nga goditja e dënimit, një top i hedhur në zonë ku askush nuk arriti ta devijojë. Në të 26-tën, 5 minuta më pas, Aston Villa dyfishoi shifrat gjatë zhvillimeve të një goditje këndi.
Historia ndryshoi totalisht me fillimin e pjesës së dytë, ku Garnacho ngushtoi shifrat në 1-2. Sulmuesi argjentinas përsëriti sërish veten në minutën e 71-të duke barazuar rezultatin në 2-2. Pas 19-të javësh, sulmuesi i transferuar me bujë, Rasmus Hojlund, realizoi golin e tij të parë në Premier League, një gol trepikësh që solli festë të madhe në radhët e Man.United: “Mendoj se tifozët tanë e merituan, ata kanë qenë gjithnjë pas nesh. Një skuadër normale nuk mund ta bënte këtë, por ky ekip po. Nuk e humbëm besimin pasi ndeshja ishte 2-0, ata luftuan dhe u shpërblyen”, u shpreh Ten Hag pas ndeshjes.
Sigurisht, suksesi i Man.United mori vëmendjen e mediave angleze, ku jo vetëm Garnacho, por dhe Hojlund ishin në faqen e parë.