Sfida e fundit mes Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të ndodhë në Riyad, në Arabinë Saudite më datë 1 shkurt 2024 dhe do të jetë pjesë e turit parasezonal të Inter Miami, skuadrës ku bën pjesë Messi që më parë do të përballet me Al Hilalin e Neymar dhe më pas me Al Nassr të Cristiano Ronaldos.

Konfirmimi pas një përgënjeshtrimi në fillim të nëntorit, erdhi pikërisht nga klubi amerikan i MLS që bëri të ditur edhe datat e dy miqësoreve.

Rivalët e përjetshëm që i dhanë kuptim me spektaklin e tyre më tepër se një dekade futbollistike duke fituar të dy bashkë plot 13 Topa të Artë, ishin përballur herën e fundit në janarin e kaluar, në një miqësore mes PSG ku luante Messi dhe një skuadre të përbërë nga një seleksion lojtarësh të Al Hilal dhe Al Nassr.

Takimi u fitua nga parizienët 5-4 me një gol të Messit dhe dy nga Ronaldo. Në ndeshjet zyrtare të dy janë përballur plot 35 herë, 16 fitore për argjentinasin, 10 për portugezin dhe 9 barazime, me 21 gola të shënuar nga Messi dhe 20 nga Ronaldo.

Sfida e fundit zyrtare mes tyre ka qenë Barcelona – Juventus 0-3, në fazën e grupeve të Champions 2020-2021 me një dygolësh të Ronaldos. Një rivalitet i jashtëzakonshëm që padyshim gjeneron interes edhe për përballjen e radhës që shumëkush e ka etiketuar, “The Last Dance”, kërcimi i fundit.