Agjencia Europiane e Klimës pohoi se nëntori ishte muaji i gjashtë radhazi i këtij viti që vendos rekord për nxehtësinë. Sipas saj, kjo vjeshtë gjithashtu llogaritet si më e nxehta. Vetëm një muaj ka mbetur deri në fundin e vitit dhe gjasat deri tani janë që 2023-shi të thyejë rekordin e vitit më të nxehtë deri tani. Muaji i kaluar ishte gati një e treta e gradës më i nxehtë se nëntori më i nxehtë deri tani pohoi Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut.
Ai ishte 1.75 gradë më i nxehtë se periudha paraindustriale, duke lënë pas tetorin dhe shtatorin si muaji më i nxehtë mbi mesataren. “Gjysma e dytë e këtij viti ka qenë vërtet tronditëse”, tha zëvendësdrejtoresha e Kopernikut, Samantha Burgess.
“Shkencëtarët nuk kanë fjalë ta përshkruajnë këtë që po ndodh”, shton ajo. Temperatura mesatare gjatë këtij nëntori ishte 14.22 gradë, pra 0.85 grandë më nxehtë se mesatarja në 30 vjetët e fundit. Dy ditë gjatë këtij muaji ishin 2 gradë më të nxehta se kohët paraindustriale. Kjo gjë sipas Burges, nuk ka ndodhur kurrë më pare. Dy janë sipas shkencëtarëve shkaqet e rekordit të nxehtësisë sivjet: Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor dhe fenomeni natyror i njohur si El Ninjo.