Nuk ka pasur asnjë kalim të jashtëligjshëm me varkë apo me gomone në kanalin e La Manshit këtë Krishtlindje, për herë të parë në 5 vite. Për 10 ditë rresht nuk ka mbërritur asnjë emigrant ndërsa sipas Sky News, mund të kenë ndikuar kushtet e këqija të motit.
Në fillim të këtij viti, kryeministri Rishi Sunak vendosi në krye të detyrave të tij çështjen e kalimit të emigrantëve të paligjshëm me varka, duke u zotuar të miratojë një ligj të ri për të ndaluar çdo emigrant që të mbërrijë në Britani të Madhe.
Vitin e kaluar, u regjistruan 90 udhëtime në ditën e Krishtlindjes. Ndërsa në vitin 2021, kishte 67 më 25 dhjetor, por asnjë më 24 ose 26 dhjetor.
Si në vitin 2020 ashtu edhe në vitin 2019 nuk kaloi asnjë varkë ose gomone në prag të Krishtlindjeve ose në ditën e Krishtlindjeve, por në ditën tjetër, me shtatë dhe 49 mbërritje respektivisht.
Në vitin 2022, një rekord prej 45,774 personash mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar, por totali i këtij viti deri më tani është 29,437. Javën e kaluar, Rishi Sunak tha se nuk kishte një “datë të caktuar” për përmbushjen e premtimit të tij për të ndaluar varkat.