Ka përfunduar procesi i dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit të aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat” nga Policia e Shtetit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se asnjë punonjës nga e gjithë struktura e policisë nuk ka pranuar që të ketë pasur në përdorim aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat” që përdoren edhe nga grupet kriminale.

Të njëjtat burime thonë se të gjithë formularët do t’i nënshtrohen një analizimi të plotë në vijim. Procesi i vetëdeklarimit ka përfunduar 4 ditë para afatit të fundit, që ishte vendosur data 4 janar 2024.

Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës i janë nënshtruar plotësimit të këtij formulari, por ata kanë mohuar të kenë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “SkyECC” dhe “EncroChat”. Por, pak ditë më parë kreu i SPAK, Altin Dumani tha në një takim informal me gazetarët se pothuajse në çdo material të transkriptuar nga këto aplikacione, ka emra të policëve të përfshirë, po ashtu nuk mungojnë as emra nga radhët e prokurorëve.

“Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita” tha Altin Dumani.
Ministria e Brendshme ka deklaruar se policët që kanë përdorur këto aplikacione, pavarësisht arsyes, do të largohen nga detyra. Por, Dumani në takimin me gazetarët mbajti një qëndrim që në fakt bie në përplasje me këtë ministri, duke thënë se nuk është vepër penale nëse ke një llogari të hapur në këto aplikacione. Por, në rastet kur ka komunikime që efektivët komprementohen në vepra penale do nisiin verifikimet dhe do merren masa.

“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa”, tha Dumani në takimin informal me gazetarët.

Deri më tani, janë 3 dosje të SPAK ku ka të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione, ose diskutohet për ta. E para ishte dosja e grupit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e dyta ishte “Metamorfoza” ku u godit ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe së fundmi shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”.