Nga Mero Baze/
Një deputet i Forca Italia, Alessandro Battilochio, i gjendur në Shqipëri për një vizitë pune, lidhur me mënyrën e realizimit të marrëveshjes Rama Meloni, shkoi dhe në Kuvendin e Berishës, pas lobimit të disa njerëzve të Berishës.
Me sa duket i paqartë se ku kishte shkuar, ai donte të fliste disa fjalë të mira për Shqipërinë dhe kishte vendosur të lavdëronte Tiranën. E nisi fjalimin duke theksuar ndryshimin e fortë të Tiranës, dhe po vazhdonte me shpresën se do të bëhej edhe më e mirë, kur përkthyesja ndërpreu përkthimin, pasi pa reagimin e sallës, që heshti dhe u bë nervoze.
Ndoshta deputeti Italian, nuk e kuptoi dhe aq mirë përse nuk ngjalli dot entuziazëm duke u lavdëruar mbështetësve të Berishës Tiranën, por me siguri ka menduar që janë të traumatizuar nga humbjet dhe nuk e kanë mendjen tek Tirana.
Por në thelb reagimi ndaj tij, është fytyra e vërtetë e politikës së Berishës ndaj Shqipërisë, Tiranës, madje dhe e ndonjë fshati të humbur të Shqipërisë. Nëse ato zhvillohen dhe përparojnë jashtë interesit të tij politik, ai i urren dhe është kundër tyre.
Në logjikën politike të Berishës, një Shqipëri që dyfishon buxhetin që nga koha e tij dhe çon GDB 24 miliardë euro nga 12 që ka qenë në kohë të tij, është një Shqipëri e keqe, pasi favorizon armikun e tij.
Nëse Tirana e kioskave, e Lanës së qelbur, apo lejeve kaotike të tij zëvendësohet me një metropol luksoz me ndërtime që kanë firmën e arkitektëve më të mirë të globit sot, por këtë e bën kundërshtari i tij, ai e urren dhe i shpall luftë zhvillimit.
Nëse në kohën e tij Shqipëria ka pasur 1 milionë turistë me buke me vete dhe sot ka 10 milionë të tillë që sjellin shumicën e të ardhurave buxhetore, ai është gati t’i vërë flakën Shqipërisë vetëm ata të mos vijnë, pasi mbajnë në këmbë qeverinë e armikut të tij.
Nëse në kohën e tij, imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë ishte Gërdeci apo vrasjet në bulevard, ndërsa në kohën e armikut të tij, Shqipëria drejton Këshillin e Sigurimit , OSBE, dhe është në qendër të nismave rajonale të BE, ai natyrisht është kundër gjithë botës vetëm se kjo favorizon armikun e tij.
Ndryshe nga çdo politikan në botë, që ngrenë politikat e tyre, mbi sukseset e vendit të tyre për t’i çuar ato më tej, Sali Berisha dhe shkolla e tij politike është e kundërta. Ai e ka ndërtuar gjithë shkollën e tij politike, mbi rrënimin e arritjeve të vendit nën qeveritë e tjera dhe mohimin e gjithçkaje, për të lënë gjurmët e veta të shëmtuara.
Është kjo shkollë politike e identifikimit të Shqipërisë me armikun tënd personal, që e bën të pakuptueshme për një deputet italianë, përse salla e Berishës heshti kur ai lavdëroi Shqipërinë.
Për Sali Berishën Shqipëria është ose e tij, ose e armikut, por kurrë e shqiptarëve. Ndaj e ka dashur gjithnjë për vete. Dhe kur nuk mund ta ketë të vetën, është gati ti vërë zjarrin.