Milan nuk gaboi në San Siro dhe mposhti Frosinonen me shifrat 3-1.
Për kuqezinjtë ishte fitorja e dytë radhazi në kampionat dhe tashmë skuadra e drejtuar nga trajneri Stefano Pioli ngjitet në kuotën e 29 pikëve në vend të tretë, duke ushtruar presion mbi Interin dhe Juventus që janë respektivisht në distancë të tre dhe katër pikëve.
Pas sfidës me Frosinonen, tekniku Pioli edhe pse nuk përmendi emra, “thumboi” Juventusin dhe Massimiliano Allegrin që shpesh thekson se objektivi i bardhezinjve është vendi i katërt. Pioli u shpreh se te Milan nuk funksion në këtë mënyrë dhe se skuadra e tij synon gjithnjë kreun e klasifikimit.
“Të tjerët fshihen sepse kanë vite pa fituar dhe kështu objektivi minimal shndërrohet ai i të klasifikuarit në vendin e katërt. Por, ne jemi Milani dhe duhet të synojmë gjithnjë kreun. Për ne ishte shumë e rëndësishme të fitonim ndeshjen e dytë radhazi dhe tani duhet të synojmë vazhdimësinë për të qenë në krye”, u shpreh Pioli.