Juventus-Roma është supersfida e javës së 19-të në Serie A. Dueli i së shtunës në mbrëmje (30 dhjetor) i programuar të luhet në Torino, do të transmetohet live në SuperSport 2 (20:45).

Miralem Pjanic ka luajtur me të dyja skuadrat, dhe betejën në “Allianz Stadium” e sheh si një “luftë” taktike mes formacioneve të Allegrit dhe Mourinhos.“Kur isha pjesë e Romës mbaj mend që ishte gjithmonë e vështirë të luanim në stadiumin e Juventusit. Verdhekuqtë vijnë nga një fitore e madhe përballë Napolit.

Mourinho është një trajner madhështor, por edhe ai e di mirë se nuk do të jetë e lehtë. Sepse Juventusi po kalon një moment shumë të mirë. Pres një ndeshje shumë taktike dhe me pak gola. Mund të gjesh talent në të dy krahët, por dyshja e Romës (Dybala-Lukaku) ka më shumë përvojë se sulmuesit e bardhezinjve.

Gjithsesi, Roma është shumë e varur nga Dybala dhe Lukaku, në skuadër ndihet mungesa e tyre. Kjo nuk ndodh te Juventusi, edhe pse mungesa e Chiesas është e rëndë. Asnjë trajner nuk heq dorë prej tij kur është në formë”, u shpreh mesfushori boshnjak, i cili luan në Emiratet e Bashkuara Arabe me Sharjah FC prej shtatorit të vitit 2022.