Policia e Shkodrës ka dhënë detaje nga plagosja me armë zjarri e 40-vjeçarit, Aleksandër Curri rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm (18 Dhjetor) në vendin e quajtur “Dollari”.

Blutë raportojnë se po punohet për identifikimin e autorit dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.

Ndërkohë i plagosuri është dërguar në spital dhe po merr ndimën mjekësore.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Dollari”, është plagosur me armë zjarri shtetasi A. C., 40 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe po merr ndimën mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, për kapjen e autorit.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit.

Dëshmia e gruas që i dha ndihmën e parë

Gruaja e pastrehë, deklaroi për gazetarët se ishte duke lypur dhe sapo ndodhi ngjarja shkoi t’i japë ndihmën e parë 40-vjeçarit.

Ajo u shpreh se i plagosuri qëndroi i shtrirë në rrugë për 10 minuta dhe se kishte marrë plumb në bark. Ndërsa autori, sipas saj, iku në këmbë, por shtoi se nuk e njihte.

“I dhashë ndihmën, isha duke lypur. Shkova me vrap e pashë. Autorin nuk e njoh. I plagosuri ka qëndruar i shtrirë për 10 minuta, shkova unë e para dhe kërkova ndihmë, derisa erdhi një efektiv i policisë rrugore.

Kishte marrë plagë në stomak, kishte shumë gjak. Iku në këmbë autori, iku vrap dhe më pas u fut në këtë qoshe… nuk di gjë më”” u shpreh ajo.