Policia ka reaguar dhe ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjteje në qendër të Fierit, ku një efektiv policie plagosi me armën e shërbimit një person, pas një konflikti mes tyre.
Sipas informacioneve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Ish globi”, ku shërbimet e Policisë kishin bllokuar një segment rrugor për zhvillimin e një koncerti.
Daniel Braçi, 26 vjeç duke drejtuar një automjet tip “Volkswagen” është afruar te punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të futet në rrugën e bllokuar.
Punonjësit e Policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda perimetrit të sigurisë dhe në atë moment, i riu ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me grushte në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, polici Shkëlqim Jahelezi ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë shtetasin.
Shërbimet e Policisë të cilët kanë dërguar menjëherë për në spital për ndihmë mjekësore 26-vjeçarin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë është shoqëruar në spital për ndihmë mjeksore dhe punonjësi i Policisë dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.