Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Prishtina është zgjedhur si “Qyteti Evropian i Sportit” për vitin 2024.

Kjo gjë do të ndikojë që Prishtina jonë të jetë një destinacion dhe qendër e shumë aktiviteteve sportive që do të mbahen gjatë vitit 2024, raporton KosovaPress.
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, u shpreh i lumtur me arritjen e këtij suksesi të madh për Prishtinën.

“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin fantastik se Prishtina është shpallë Qytet Evropian i Sportit për vitin 2024! Ky titull është dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të krijuar një qytet që përqafon jetën e shëndetshme, gjithëpërfshirjen dhe mikpritjen. Na pret një vit i mbushur me ngjarje sportive, angazhim të komunitetit dhe investime në infrastrukturën sportive”, tha Rama.
Po ashtu, ndër të tjera kryetari Rama tha se ky titull është katalizator i cili i nevojitet Prishtinës për të kthyer fokusin tek rëndësia e sportit në shoqëri për një të ardhme më të ndritshme e më të shëndetshme.
Bashkë me Ramën, të pranishëm ishin edhe Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe skitarja e parë nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Kiana Kryeziu, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.